Vetëvendosje thotë se do e nxjerr vendin nga kriza

Ilir Deda fton qytetarët që të votojnë për subjektin e ri politik të tij, sepse beson se është e vetmja parti që mund ta nxjerrë vendin nga kriza. Ai ka thënë se PDK duhet të dalë në opozitë, kurse premtimet e Hashim Thaçit i ka quajtur “tallje” me qytetarët e vendit.

Lajme

16/05/2014 01:01

Ilir Deda tha se Kosova ka nevojë për ndryshim të qeverisjes, andaj sipas tij, alternativa e vetme është subjekti i tij politik, Lëvizja Vetëvendosje.

Duke folur për emisionin Interaktiv të KTV-së, Deda tha se është bashkuar me Vetëvendosjen sepse ajo premton ndryshim.

“Unë kam paralajmëruar që do të bashkohem me një parti politike prej 1 shtatorit të vitit të kaluar dhe më është dukur më e natyrshme që të bashkohem me Vetëvendosjen. Besoj që ekziston vetëm një alternativë që ta nxjerrë Kosovën nga kriza dhe ajo është alternativa e Vetëvendosjes”.

“Alternativa premton nxjerrje nga kriza dhe përmirësim të jetës gradualisht”.

“Ka të bëjë me një koncept të zhvillimit çfarë Kosovës i duhet e kjo ka të bëjë me rritjen e prodhimtarisë”.

“Ndryshimi na duhet tash dhe ndryshimi duhet të ndodhë gjithqysh”.

“Vetëm me Lëvizjen Vetëvendosje Kosova mund të jetë e suksesshme”.

Deda ka shtuar se me ndihmën e qytetarëve, PDK-ja do të ketë misionin e ri në opozitë dhe se premtimet e Hashim Thaçit për 200 mijë vende të reja të punës i ka quajtur “tallje” me qytetarët.

“Me Vetëvendosje dhe me njerëzit që do të na përkrahim, që besoj që duhet me na përkrahë, hajde t’i ndihmojmë PDK-së që Misionin e Ri ta jetë në opozitë”, tha pos tjerash Deda për KTV.