Vitin tjetër udhëtojmë pa viza!

Në fund të këtij viti do të merret vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, ka deklaruar Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, duke theksuar se në vitin 2015 kosovarët do të udhëtojnë pa viza.

Lajme

16/05/2014 13:42

Ministri Hoxhaj ka thënë për Radio Kosovën se arsyeja kryesore e mos marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, ka të bëjë me 25 majin që është data e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian dhe Institucionet e BE-së.

“Unë jam më se i sigurt se deri në fund të këtij viti do të ketë vendim dhe në 2015 do të udhëtohet pa viza. E keni parë që edhe Samuel Zhbogar ka thënë para 5 ditësh që vendimi do të jetë i shpejtë. Këtë vit merret vendimi, 2015 udhëtohet pa viza, standardet janë plotësuar”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërkohë, lidhur me anëtarësimin e Kosovës në OKB, ministri Hoxhaj ka thënë se Kosova ka përfunduar një studim që do të prezantohet së shpejti, i cili parashikon se kjo do të ndodhë para vitit 2020.

“Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që të rrisim numrin e njohjeve, të anëtarësohemi në agjenci të ndryshme të OKB-së, deri më tash kemi aplikuar në disa organizata, të forcojmë relacionin tonë me BE-në. Nënshkrimi i MSA-së, është fuqizim i pozicionit ndërkombëtar të Kosovës dhe paralelisht me këtë ne duhet në dialog me Serbinë të adresojmë disa çështje ndërshtetërore dhe jam më se i sigurt se para vitit 2020 do të jetë e mundur që Kosova të jetë anëtare e plotë e OKB-së”.

Sa u përket zgjedhjeve parlamentare në vend dhe si do të shihen ato në sytë e botës, ministri Hoxhaj ka thënë se Kosova do të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike. “Ajo për të cilën ka nevojë Kosova është stabiliteti politik”, ka thënë ai.