Zbulohen detaje për dokumentarin që tregon jetën e Schumacher

20:00 | 17 Maj 2019

Është bërë e ditur se do të ketë një dokumentar për jetën e legjendës së Formula 1, Michael Schumacher.

Gjermanët Michael Wech dhe Hanns – Bruno Kammertons janë ata që do të bëjnë filmin dhe kanë marrë mbështetjen e familjes së Schumacher.

Duke shpjeguar se çfarë do të paraqitet në këtë film, ata kanë treguar se do të eksplorojnë shumë fakte, duke thënë se do të jetë edhe jashtë jetës së Formula 1, duke përfshirë intervista të familjarëve.

Ky dokumentar do të vije në një kohë speciale për pilotin e Formula, në ditëlindjen e tij të 50, si dhe 25 vjetorin e titullit të parë të kampionit.

“Është një vit i rëndësishëm për Michael Schumacher. Ishte ditëlindja e tij e 50-të në janar dhe 25 vjetori i titullit të parë do të jetë në nëntor” ka thënë producenti Seikel, transmeton lajmi.net.

“Jemi të lumtur që kemi bashkëpunimin e familjes së Michael Schumacher dhe menaxhmentit të tij. Pa ndihmën e tyre, filmi nuk do të ishte i mundur” ka thënë tutje ai.

Legjenda gjermane e Formula 1 ka një karrierë të jashtëzakonshme në F1, duke fituar shtatë tituj dhe duke shënuar 91 fitore në Grand Prix.

Por, që nga viti 2013, ai vuan nga një lëndim në kokë, i cili e ka mbajtur atë në koma për një kohë të gjatë. /Lajmi.net/