Zgjedhjet presidenciale të Sirisë, mbysin shpresat për ndryshim

Në Siri kampanja për zgjedhjet presidenciale, që do të mbahen muajin e ardhshëm, tashmë ka filluar. Është hera e parë që ka shumë kandidatë për këtë post, por kritikët e kanë përqeshur këtë proces dhe e kanë quajtur si fals, dhe për kundërshtarët e presidentit Bashar al-Assad e përforcon ndjenjën se shpresa është e humbur.

Bota

13/05/2014 00:57

“Kështu duken luanët”, thotë njëra prej bilbordëve në Damask. Në të paraqitet presidenti Assad, i veshur me uniformë ushtarake dhe me syze sportive Rayban.

Përderisa zgjedhjet presidenciale afrohen, rrugët janë të mbushura me bilbordë dhe posterë që promovojnë zgjedhjet.

“Zëri juaj = Kombi. Zëri juaj = Presidenti”, thuhet në një reklamë tjetër.

Ajo se çfarë kanë të përbashkët posterët e fushatës është se ato të gjitha janë të një kandidati- presidentit aktual Assad. “Ne të gjithë jemi Bashar al-Assad”, thuhet në njërin prej posterëve. “Të duam Assad”, thuhet në posterin tjetër.

Flamujt sirianë me fotografinë e presidentit po dekorojnë rrugët, dyqanet janë të pikturuara me ngjyra kombëtare dhe në çdo cep ka posterë të tillë ku shkruan “Bashar al-Assad është lideri”.

Makina Hummer me dritare të pikturuara me ngjyra kombëtare bën xhiro nëpër kryeqytet, duke lëshuar me zë të lartë këngë pro Assadit.

Tubimet, ku bëhen thirrje që ai të bëhet sërish president, mbahen kudo në qendër të qytetit.

Damasku ka qenë shënjestër e mortajave që kanë goditur zonat e banuara me civilë. Por asnjëra prej tyre nuk ka rënë në vendet ku tubimet janë mbajtur, duke bërë kështu që banorët të pyesin veten se kush qëndron pas këtyre sulmeve që po ndodhin përditë.

Demokracia false

Për herë të parë, pas shumë dekadash, zgjedhjet presidenciale nuk po bëhen përmes referendumit, ku në fletën e votimit ishte vetëm një anëtar i familjes së Assad-it.

Përkundër kësaj, në zgjedhjet e 3 qershorit po marrin pjesë tre kandidatë për president, emrat e të cilëve qenë aprovuar nga Gjykata Kushtetuese. Për këto zgjedhje janë regjistruar 24 persona për të parin e Sirisë.

Presidenti Assad është njëri prej 3 kandidatëve të fundit.

Siria njoftoi në prill se zgjedhjet presidenciale do të mbahen dhe se kandidatët të cilët do të mund të sigurojnë mbështetjen e së paku 35 deputetëve, e që kanë shtetësi siriane, dhe janë banorë të Sirisë në 10 vjetët e fundit, do të kenë të drejtën për tu kandiduar.

Duke përdorur këto kritere, Damasku përjashtoi pjesëmarrjen e ndonjë figure të opozitës dhe mundësinë e mospajtimit.

Shumica e tre milionë sirianëve që janë jashtë vendit, të cilët kanë ikur nga lufta dhe janë të regjistruar si refugjatë, nuk do të jenë në gjendje që përmes votës të thonë fjalën e tyre, sikundër edhe 6.5 milionë qytetarë të shpërngulur brenda vendit, trë cilët kanë frikë se do të jenë të detyruar të votojnë.

Dy kandidatët të cilët do të garojnë kundër al-Assad janë, Maher Abdul Hafez Hajjar (43), aktivist i ish-Partisë Komunste dhe deputet, i cili thuhet se është nga një familje e shquar fetare nga qyteti verior Aleppo. Ndërsa kandidati tjetër është Hassan Abdullah al-Nouri (54), me prejardhje nga Damasku, një ish-ligjvënës, i cili më parë ka kryesuar dhomën e industrisë.

Megjithatë nuk mund të themi “Votoni për mua, unë mund të bëj më mirë se Assad”, siç mund të bëjnë fushatë njerëzit në vendet me demokraci të vërtetë.

Paqja e paralizuar

Shtetet perëndimore i kanë kritikuar këto zgjedhje dhe ato kanë filluar të shihen si një sinjal i fundit i diplomacisë.

I dërguri për paqe në OKB nga Liga Arabe, Lakhdar Brahimi, i cili do të lë detyrën e tij në fund të muajit, ka thënë se në qoftëse zgjedhjet zhvillohen, ato mund të rrezikojnë bisedimet e paqes. Komentet e tij kanë zemëruar Damaskun dhe këto komente shihen si ndërhyrje në punë të brendshme.

Por tani për tani, bisedimet për paqe në Gjenevë, të cilat po zhvillohen për t’i dhënë fund luftës, duket të jenë më shumë në bllokimin e luftës në terren, nga e cila asnjë palë nuk do të dalë e fituar apo e humbur.

Aleatët e opozitës në Siri po përballen me vështirësi lidhur me atë se çfarë duhet të bëjnë më tutje. Lufta po vazhdon dhe numri i refugjatëve po rritet, duke u bërë një barrë e madhe për vendet që i strehojnë ata.

Pavarësisht dështimit të Konferencës Ndërkombëtare të Paqes në fillim të këtij viti, e ashtuquajtura “Track II” ofron përpjekje për të eksploruar zgjidhje alternative që janë duke u zhvilluar.

Disa kanë sugjeruar, duke i bërë thirrje presidentit Assad që të qëndrojë në pushtet edhe për dy vjet, si si zëvendësim për mbajtjken e zgjedhjeve, të cilat, në rast se do t’i fitonte, do ta mbanin atë në postin e presidentit edhe për 7 vjet të tjerë. Sidoqoftë, këto përpjekje duken të paralizuara tashmë.

Më gjithkënd që flisni në Damask e di se zgjedhjet janë vetëm një “shfaqje” dhe se në fund Assad do të dalë fitues.

Besnikët e Assadit duan që ai të qëndrojë – disa sepse janë të gëzuar për të mirat e pushtetit, dhe të tjerët sepse kanë frikë se nëse ai shkon në Siri do të mund të bëhej kaos nga islamikët radikalë.

Lufta e lodhur

Por kundërshtarët e presidentit janë në pozitë shumë të vështirë. Ata që janë në zonat e kontrolluara nga rebelët në veri, përjetojnë bombardime të përdishme nga forcat qeveritare, dhe votimi në ato zona nuk do të mbahet fare.

Bombat e forcave qeevritare që po shpërthejnë rregullisht në Aleppo, vrasin civilë përfshirë edhe shumë fëmijë.

Në jug, në zonat ku rebelët dhe forcat qeveritare konkurrojnë për kontroll, në këto zona qeveria ka ndjekur një politikë “vdis nga uria apo dorëzohu”. Kjo politikë duket se po funksionon.

Familjet janë të lodhura dhe duan t’i japin fund urisë dhe rebelët janë të detyruar të dorëzohen apo të tërhiqen.

Ndërkohë, kundërshtarët e Assad-it që jetojnë në zonat e kontrolluara nga qeveria, kanë frikë për jetën e tyre, dhe për këtë arsye ata janë të detyruar të mbajnë kokën poshtë dhe janë të paaftë të shprehin qëndrimet e tyre publikisht.

Ata janë të shqetësuar në lidhje me procesin zgjedhor dhe nëse ata duhet të tregojnë prova se ata kanë marrë pjesë dhe kanë votuar.

“Ne duam që të dalim jashtë vendit gjatë periudhës së mbajtjes së zgjedhjeve”, tha një banor i Damaskut, “por çfarë do të ndodhë me mijëra persona që nuk mund të largohen dhe nuk duan të votojnë?”, pyeti ai.

Një tjetër mbështetës i opozitës në Damask ka frikë se pas zgjedhjeve, qeveria e Assad nuk do t\’i tolerojë dhe ata do të mbeteshin në mes të konfliktit. Një politikë “me ne ose kundër nesh”, do të mbizotërojë pastaj, tha ai.

Ata që kërkuan lirinë për Sirinë janë duke u përballur me mundësinë e dështimit. Thirrja e tyre për ndryshim dhe demokraci është kthyer në thirrje për mbijetesë dhe për shumë njerëz në këtë vend nuk ka bukë e as liri.

(BBC)