Zidane – Courtois – Navas: Njëri do të largohet nga Real Madrid

15:15 | 15 Prill 2019

Skuadra e Real Madrid do të ketë një dilemë shumë të vështirë në fund të këtij sezoni.

Për fatin e mirë të skuadrës, në grupin e lojtarëve janë tre portierë me aftësi të shkëlqyera si Thibaut Courtois, Keylor Navas dhe Luca Zidane.

‘Los Blancos’ nuk kanë pasur një portierë ‘të parë’ këtë edicion, pasi për portën e mbretërve ka pasur tri zgjidhje.

Kur skuadra udhëhiqej nga Julen Lopetegui, porta ishte në balotazh mes Keylor Navas e Thibaut Courtois.

Me ardhjen e Santiago Solarit, portieri belg fitoi një avantazh të lehtë dhe e gjente vetën më shpesh në formacionin startues.

Por, së fundmi, me ardhjen e Zinedine Zidane, në listën e portierëve është shtuar edhe Luca Zidane, i cili është djali i trajnerit.

Zidane ka përdorur që të tre portierët këtë edicion, por ka bërë të ditur se çështja e portës do të qartësohet në  fund të sezonit.

“Sezonin tjetër nuk do të ketë dyshime për portierin. Do të jetë shumë e qartë. Për momentin, kemi tre portierë shumë të mirë dhe ne do të përfundojmë sezonin me ta” ka thënë Zidane, transmeton lajmi.net.

“Thibaut do të luaj përsëri, kurse portieri i tretë është Luca. Këta janë tre portierë të mirë që Real Madrid duhet t’i ketë” ishin fjalët e trajnerit.

Gjithsesi, deklaratat e portierëve nuk shkojnë për shtati me fjalët e trajnerit, pasi secili nga ta beson se meriton vendin në formacion.

Navas insiston se është më i miri dhe meriton respektin për fitimin e tri ligave të kampionëve, kurse Courtois ndihet akoma si një nga më të mirët në botë.

Luca në anën tjetër është djaloshi i ri që ka karrierën përpara dhe është në kërkim të minutave për të shfaqur potencialin e tij.

Faza përgatitore e verës besohet se do të jetë pika ku të tre do të tregojnë vetën. Aty do të vendoset se cili largohet. /Lajmi.net/